Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka deklaruar se Kosova është e sigurt dhe situata është nën kontroll.
Teksa po raportonte për punën e tij si ministër, Mehaj deklaroi se Kosova nuk bie pre e provokimeve të Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.
“Gjeopolitikisht situata ka ndryshuar në shumë vende ne nuk biem pre e fjalëve, kërcënimeve shtantazheve të rreme siç ka bërë Serbia në gjithë këto vite. Ne e ruajmë gjakftohtësinë, Kosova është e sigurt, i ka institucionet e sigurisë dhe ne jemi në bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in”, ka thënë ai.
Ai ka akuzuar Serbinë për tendencë të destabilizim të rajonit, duke e quajtur edhe si “kanceri i Ballkanit” që gjithmonë ka shkaktuar luftëra në rajon.
“Prej Sllovenisë kanë krijuar luftë, në Bosnje, Kroaci, në Kosovë që e kemi pasur luftën e fundit, por ju e keni parë ndërhyrje politike në Mal të Zi”, deklaroi Mehaj.
Ai gjithashtu ka siguruar se organet e sigurisë kosovare kanë kontrollin e duhur në tërë vendin.
“Policia është në dijeni, inteligjenca policore, doganat, AKI, i kanë informatat e duhura dhe ndërmarrin veprimet e duhura”.