Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i ka demantuar grafikat e prezantuara sot nga deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami, kinse nuk ka pasur rritje të punësimit në Kosovë.
Murati ka thënë se shifrat e punësimit të prezantuara sot nga kryeministri Albin Kurti, janë të sakta dhe se të njëjtat konfirmohen edhe me nga të dhënat e Trustit Pensional.
“Deputetja Bajrami qenka mundu me e demantu Kryeministrin për shifrat e punësimit, por në fakt krejt çfarë paska arritur të bëjë është që së pari t’a shpërfaqë mungesën e njohurive të veta për temën në fjalë, dhe së dyti, edhe me të dhënat që vetë deputetja ka përdorur në fakt e ka konfirmuar atë çfarë ka thënë Kryeministri, pra që ka rritje të punësimit”, ka thënë sot Murati.
Për sa i përket asaj se cilat shifra tregojnë pasqyrën më të saktë të punësimit, shifrat e ATK-së apo ato Trustit, deputetja do duhej ta dinte që ATK-ja raporton numrin e të punësuarve bazuar në deklarimet tatimore të punëdhënësve, ndërsa Trusti, në tabelën që paska përzgjedhur deputetja Bajrami, i raporton llogaritë që kanë pranuar kontribute në muajin përkatës. Pra janë dy shifra që tregojnë gjëra të ndryshme”, ka thënë ai.
Murati ka thënë se Kurti ka pasur plotësisht të drejtë kur ka deklaruar sot se në Kosovë ka pasur rritje të punësimit për 20 për qind.
“Nëse duam të kemi krahasim me shifra të përditësuara, gjithnjë duke përdorur treguesin që vetë deputetja Bajrami ka përzgjedhur, sipas raportit të fundit tremujor të Trustit, në muajin qershor 2024 kanë qenë 399,585 llogari aktive, pra që kanë pranuar kontribute.
Kur e krahasojmë këtë me muajin mars 2021, kur Qeveria Kurti kishte marrë qeverisjen, ku në Trust ishin deklaruar 330,988 llogari aktive, del se përgjatë kësaj periudhe, sipas metodologjisë së vetë dpeutetes Bajrami, janë shtuar 68,597 llogari aktive, apo shprehur në përqindje saktësisht 20.7%”, tha Murati.
“Prandaj, edhe me shifrat e deputetes Bajrami, vetëm sa konfirmohet ajo çfarë ka thënë Kryeministri Kurti”.
Për fund, Murati tha se është “për keqardhje që deputetë që mbulojnë fushën e ekonomisë, e madje edhe ligjërojnë në universitet, kanë njohuri kaq të cekëta për fushën”.