Ministri i Financave, Hekuran Murati i ka quajtur manipulime akuzat për punësimin e militantëve dhe familjarëve në Korporatën Energjetike të Kosovës. Në Kuvend, ai tha se “opozita kritikon për çështjet dhe problemet që vet i ka shkaktu”.
Murati tha se Lëvizja Vetëvendosje e ka shpëtuar KEK-un, dhe se më herët nuk kishte pasur kurrë konkurs aty dhe në ndërmarrjet tjera publike.
“Sa për KEK-un, që po përmendet, nëse doni me e pa tamam rezultatin e punës tuaj, qeverisjeve tuaja të kaluara, shikojeni Telekomin”, i tha Murati opozitës. “KEK-u ka shpëtu pikërisht sepse Lëvizja Vetëvendosje s’iu ka lënë me bë me KEK-un çka keni bë me Telekomin”, tha ai.
Konkursin e fundit në KEK, Murati tha se “po mundohen disi ta lidhin me Lëvizjen Vetëvendosje”.
“S’ka të bëjë fare”, tha ai, ndërsa iu drejtua qytetarëve.
“Po i pyes qytetarët tash, se ju e di që s’përgjigjeni drejt. A keni dëgju ndonjëherë në 20 vitet e kaluar që është shpallur konkurs në KEK, Telekom, Postë apo diku tjetër. Unë s’kam dëgju kurrë”, tha ai.
Më herët, Murati tha se “mijëra të punësuar janë punësuar me lista”.
“Është dërguar lista dhe janë punësuar njerëzit”, tha ministri, ndërsa kujtoi se ekziston procesi ankimor për konkursin në KEK.