Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka aprovuar dy kërkesa të Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 580 specializantëve.Kabineti qeveritar ka miratuar kërkesën për pagesën e specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar 2023 deri më 31 dhjetor 2023. Dhe gjithashtu pagesën e specializantëve me vetëfinancim nga Republika e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo pagesë është stimulim për të luftuar ikjen e kuadrove shëndetësore.“Ministria e Shëndetësisë përmes politikave shëndetësore si dhe përmes zbatimit të legjislacionit në fuqi, parasheh shkollimin specialistik me qëllim aftësimin në fusha të ndryshme të kujdesit shëndetësor”.
“Specializantët që i nënshtrohet këtij shkollimi profesional dallojnë për sa i përket kategorive të financimit me buxhet të Ministrisë së Shëndetësisë dhe me buxhet të komunave e institucioneve private apo me vetëfinancim. Numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i ulët krahasuar me vendet e rajonit”, tha Vitia.