Ende nuk është vendosur se kur do të zëvendësohen orët mësimore të humbura për shkak të grevës tri javore të mësimdhënësve. Megjithëse thuhet që këto orë do të zëvendësohen, ende nuk dihet se kur pritet të merret vendimi.
Përderisa nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se një nga mënyrat që mund të përzgjidhet për zëvendësimin e orëve është vazhdimi i mësimit për tri javë nga dita kur është paraparë përfundimi i mësimit, nga SBAShK-u thonë se janë mësimdhënësit ata që do të vendosin kur do të ndodhë ky zëvendësim.
Këshilltari i ministrit të Arsimit, Valmir Gashi, ka treguar disa nga mënyrat që janë paraparë të ndodhë zëvendësimi pas takimit që kanë pasur me drejtoritë komunale të Arsimit.
“Vendimi nuk është marr ende, mirëpo ne ditë më parë e kemi zhvilluar një takim bashkë me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ku janë diskutuar edhe tema të tjera, mirëpo ndër temat kryesore kanë qenë edhe çështja e zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës. Kemi marrë sugjerimet nga drejtoritë komunale dhe janë diskutuar të gjitha mënyrat më të mira se kur është koha më e përshtatshme për të zëvendësuar këto orë. Ministria është akoma në pritje të raporteve finale nga të gjitha Komunat në nivel vendi, në mënyrë që mbi bazën e këtyre raporteve të nxjerr edhe vendimin….Disa nga sugjerimet të cilat edhe kanë marrë një dakordësi më të madhe në atë takim ka qenë që pushimi pranveror, do të thotë ekziston mundësia që pushimi pranveror të ketë proces mësimor, të mos jetë pra pushim. Gjithashtu, një pjesë edhe gjatë vikendit, por kjo të fillojë pak m ë vonë jo gjatë këtij muaji dhe për orët që mbeten në fund të vitit shkollor”, ka thënë ai.
Ndonëse tri javë mësimdhënësit nuk kanë mbajtur mësimin, ata janë paguar për muajin janar. Për këtë çështje refuzojnë të flasin nga Ministria e Arsimit, duke thënë se kjo është çështje e komunave.
Se orët do të zëvendësohen e thonë edhe nga sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, por që potencojnë se janë mësimdhënësit ata që do të vendosin se kur do të ndodh një gjë e tillë.
Nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala, për KosovaPress ka thënë se edhe pse ligji për grevat lejon që ditët e grevës të mos zëvendësohen, sipas saj mësimdhënësit kanë deklaruar se janë të gatshëm të zëvendësojnë orët e humbura.
Ende nuk është arritur një vendim i tillë, ngase vendimi për kompensim të orëve e marrin mësimdhënësit dhe ata do të jenë të cilët do të vendosin se si do ta bëjnë kompensimin e orëve, a do ta bëjnë në fund të vitit, a do ta bëjnë ditëve të shtuna apo kështu me radhë. Do të thotë mbetet tek mësimdhënësit që të vendosin edhe për kompensimin e orëve, po edhe ta gjejnë formën apo mundësinë më të mirë për kompensimin e atyre orëve”, është shprehur ajo.
Edhe sa i përket pagesës që mësimdhënësit kanë marrë për muajin janar, Shala thotë se është e rregulluar me ligjin për grevat.
“Mësimdhënësit paguhen ngase ligji mbi grevën e lejon mbajtjen e grevës dhe në kuadër të ligjit mbi grevat është aty një nen ku thuhet se punëtorët ose punonjësit të cilët janë në grevë, e që në rastin konkret mësimdhënësit kanë qenë në vendet e tyre të punës nuk iu bëhet kurrfarë ndalese sa i përket të ardhurave materiale”, ka thënë ajo.
Ani pse ministria e Arsimit dhe SBAShK-u thonë se orët do të zëvendësohen, nga Instituti “Edguard” thonë se edhe nëse ky zëvendësim nuk ndodh nuk është se do të humbet diçka.
Rinor Qehaja nga ky institut, ka thënë se sa herë ka pasur zëvendësime të tilla jo gjithherë cilësia e mësimdhënies në këto orë ka qenë e duhura.
“Përkundër asaj që nuk ka një obligueshmëri ligjore që këto orë të zëvendësohen, rikujtojmë se edhe nëse ndodh diçka e tillë vështirë se do të arrihet ajo cilësia e një procesi të mirëfilltë të mësimdhënies. Pra, është praktikë edhe nga e kaluara që sa herë ka pasur zëvendësime të tilla jo gjithherë cilësia e mësimdhënies në këto orë ka qenë e duhura. Për këtë arsye në vlerësimin tonë me ose pa zëvendësim të po këtyre orëve nuk do të bëjnë ndonjë ndryshim substancial në proces të mësimdhënies”, është shprehur ai.
Kujtojmë se mësimdhënësit kanë mbajtur grevë për shkak të pakënaqësive ndaj ligjit për paga, ku kanë kërkuar që koeficienti të rritet për 30 përqind. Vetëm pas tri javëve të grevës ata kanë arritur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.