Ministria e Financave ka dalë me sqarim për kërkesat për verifikime shtesë që u janë dërguar disa prindërve, në programin për shtesat për fëmijët. MF-ja ka bërë të ditur se verifikimi shtesë është bërë për t’u siguruar se prindërit dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë. Sipas njoftimit, kushdo që s’ka pranuar e-mail, s’ka nevojë për verifikime shtesë.
Ky proces nisi më 11 shtator. Në emailin që u ishte dërguar disa prindërve u ishte thënë se përkohësisht janë pezulluar pagesat e shtesave për fëmijë, deri kur të paraqesin dokumente për verifikim në Qendrën për Punë Sociale.
Ministria ka kërkuar nga përfituesit që në QPS të dërgojnë këto dokumente: kopjen e letërnjoftimit, një faturë të shërbimeve publike, si dhe për fëmijët nga mosha 0-6 vjeç librezën e vaksinimit, e për ata mbi 6 vjet vërtetimin nga shkolla.
Ministria e Financave nuk ka treguar as të martën, në njoftimin në Facebook, se sa prindërve u është dërguar ky email.
“Në kuadër të programit për shtesat për fëmijë, është një numër i caktuar i prindërve, llogaria e të cilëve është përzgjedhur për verifikim shtesë për t’u siguruar se ata dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë. Të gjithë këta prindër kanë pranuar njoftimin në eKosova dhe në email adresat e tyre, me hapat e nevojshëm për të kompletuar verifikimin shtesë dhe për të ri-aktivizuar llogarinë e shtesave për fëmijë. Nëse ju nuk keni pranuar njoftimin e tillë nga eKosova e as email nga MFPT, atëherë nuk keni nevojë të ndërmerrni ndonjë veprim. Programi i shtesave për fëmijë vazhdon si zakonisht, dhe ju do të pranoni shtesat sikurse çdo muaj në llogarinë tuaj”, thuhet në njoftimin që Ministria e Financave e ka publikuar në Facebook.
Qeveria e Kosovës ndan 20 euro në muaj për fëmijë deri në 16 vjet.
Në rast se prindi ka 3 fëmijë e më shumë, atëherë pagesa për secilin është nga 30 euro në muaj.
Sipas Ministrisë së Financave nga kjo skemë përfitojnë 400 mijë fëmijë.