Ministria e Punëve të Jashtme ka rekrutuar në mënyrë të kundërligjshme 32 zyrtarë të misionit diplomatik.
MPJ ka kryer shkelje të ligjit, saktësisht nenin 17, paragrafi 2,3 dhe 4 dhe nenin 38 paragrafi 1 të Ligjit për Zyrtarë Publikë, sipas një vendimi të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, të cilin e ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas vlerësimit të Kolegjit, shpallja e konkursit të korrikut 2022 për rekrutim e 32 zyrtarëve të misionit diplomatik është në kundërshtim me rregullat e pranimit të zyrtarëve publikë të parapara me ligj.
“Kolegji i Këshillit konstaton se Shpallja e rekrutimit për tridhjetedy (32) zyrtarë të misionit diplomatik është bërë në kundërshtim me nenin 17 paragrafi 2, 3 dhe 4 të Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publikë. Rrjedhimisht sipas vlerësimit të Kolegjit kjo mënyrë e shpalljes së rekrutimit është në kundërshtim me parimet e pranimit të zyrtarëve publikë të përcaktuara me nenin 6 paragrafi 1 dhe 2 te Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publikë”, thuhet në vendim.
Të gjeturat e Kolegjit po ashtu konstatojnë se konkursi për rekrutimin e këtyre tridhjetedy zyrtarëve nuk ishte bërë publik në faqen e posaçme të procedurave të konkurrimit, transmeton tutje Gazeta Online Reporteri.net.
Procedurës së rekrutimit nuk i ka parapri as një procedurë e brendshme e lëvizjes paralele në kuadër të shërbimit civil.
Rrjedhimisht, është rekomanduar që ky konkurs i MPJ’së për rekrutimin e tridhjetedy zyrtarëve të misionit diplomatik të anulohet. /Reporteri.net/.