Reagim nga Ministria e Shëndetësisë
MSh reagon ndaj manipulimeve në publik me dokumente rreth rastit të A.M.
Prishtinë, 4 maj 2020
Duke e parë keqpërdorimin që media dhe individë të caktuar janë duke i bërë një dokumenti orientues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, përkatësisht listës së të riatdhesuarve nga Gjermania të datës 2 maj 2020, ku figuron edhe emri i të ndjerit A. M. qe vdiq më 3 maj, dhe për në cilin në këtë dokument të Ambasadës shkruan se “prob. shëndetësore, posedon vërtetem”, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë se ky dokument nuk është i MSh-së siç po manipulohet me të dhe se i ndjeri, pavarësisht çfarë shkruan në listën e Ambasadës, me rastin e riatdhesimit në Kosovë, nuk ka prezantuar asnjë vërtetim mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë posedon raportet mjekësore të të ndjerit, të përpiluara nga mjekët në pritje që për shkaqe të etikës mjekësore dhe ruajtjes së privatësisë nuk do ta bëj publik, ku gjatë marrjes së të dhënave anamnestike, në praninë e mjekut përgjegjës, me rastin e mbërritjes në Kosovë, i ndjeri nuk ka raportuar asnjë lloj sëmundjeve apo shqetësim shëndetësor.
Për më tepër, MSh e ka edhe raportin me shkrim të profesionistit shëndetësor që e ka vizituar pacientin, të vërtetuar edhe përmes faksimilit mjekësor në të cilin, thuhet se pacienti nuk ka raportuar dhe as treguar për ndonjë sëmundje apo problem shëndetësor.
Po ashtu, profesionisti shëndetësor e ka konfirmuar edhe “post factum” se i ndjeri gjatë kontrollimit mjekësor nuk ka deklaruar asnjë problem apo vërtetim shëndetësor.
Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ri-përsërit se ka kërkuar nga Prokuroria e shtetit që të bëjë hetim të plotë rreth këtij rasti, ndërkohë që kërkon gjithashtu në të njëjtën kohë edhe hetim ndaj atyre që duke manipuluar me dokumente që nuk janë lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, po keqpërdorin tragjedinë e një të riu për qëllime të ulëta.