Përpos masave antiCOVID të cilat janë të vendosura tash e sa kohë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë masa të reja për shkak të situatës së përhapjes së rasteve me COVID-19.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se nuk përjashtohen masat e reja në rast se ngarkesa spitalore rritet dhe rastet rriten ndjeshëm.
“Janë një serë masash në fuqi, të cilat duhet të zbatohen në mënyrë më adekuate. Por, nuk përjashtohen as masa të reja në rast se ngarkesa spitalore rritet dhe rastet rriten ndjeshëm. Tash për tash, mbesin në fuqi masat e ndërmarra më herët”, kanë deklaruar nga MSH për lajmi.net.
Poashtu nga Ministria e Shëndetësisë është bërë thirrje për vaksinim nga qytetarët, përveç me dy doza edhe me dozën përforcuese.
“Thirrja është për vaksinim sa më të shpejtë përveç dy dozave edhe me dozën përforcuese”.
Por sa i përket ndryshimit të masave antiCOVID, MSh ka theksuar se varet gjithçka nga rekomandimet që jep Instituti Kombëtarë Shëndetësorë Publik i Kosovës si dhe Komisioni Këshillëdhënës për COVID-19 nga ecuria epidemiologjike.
E lidhur me vaksinimin antiCOVID në vend, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri tani ka qenë një proces sfidues, por edhe bukur i suksesshëm.
“Megjithëse duhet të vazhdoj edhe më tej me ritëm më të lartë”.
E sa i përket pacientëve të prekur me koronavirus, nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se mjekimi i tyre po bëhet njësoj si ata që ishin të infektuar me variantet e tjera të koronavirusit.
“Mjekimi nuk dallon prej varianteve të tjera shumë, me ndonjë përjashtim dhe institucionet janë duke e bërë këtë”.
E sipas ministrisë, Omicron është dominues në rajonin evropian dhe në shumë shtete të botës tani, e meqë është një variant që shquhet me përhapje më të shpejtë është e pritshme dhe rritja e rasteve, të cilat në aspektin klinik ato që kanë nevojë për tretman spitalor, do të menaxhohen.
E së fundi Instituti Kombëtarë Shëndetësorë i Kosovës ka paralajmëruar për rrezikun e shtimit të rasteve me Omicron, si dhe shtimit të numrit të pacientëve në qendrat spitalore në vend.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mos grumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në komunikatë.
IKSHPK thotë se është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.
E në 24 orët e fundit janë shënuar edhe 771 raste të reja të të infektuarve me virusin COVID-19.
Tani për tani numri i rasteve aktive ka shkuar në 4 mijë e 489. Kurse gjatë 24 orëve janë vaksinuar 3.064 qytetarë.