Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi deputeti i PDK-së, Adrian Kastrati ka publikuar një pjesë të një përshkrimi satirik të veprimtarit të çështjes shqiptare, Faik Konicës, në kohën sa po votohej Vjosa Osmani për presidente në Kuvend.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook thotë se gjuha e deputetit në fjalë kërkon reagim e dënim. “As këtij personi dhe askujt tjetër nuk do duhej t’ja lejonim ta keqpërdornin hapësirën publike për t’na fyer e sharë”, ka shkruar ajo.
Gjuha e përdorur e një deputeti të Kuvendit nga radhët e PDK-së dhe një profesori universitar, është gjuhë e nivelit të ulët e cila duhet të dënohet dhe kundërshtohet fuqishëm.
Kjo gjuhë flet shumë për mendësinë që ka ky person dhe në mënyrë të natyrshme rrjedh pyetja se çfarë roli mund të ketë ky person për qytetarët si përfaqësues dhe për studentët si profesor! Në këtë Republikë që u la me gjak, për lirinë për të cilën edhe gratë e vajzat luftuan, ku ka edhe të tilla gra që dhanë jetën, nuk ka vend për seksistë e mizogjenë që fyejnë gra të fuqishme e të zonja vetëm pse ata vetë janë të pafuqishëm.
Kjo gjuhë e deputetit të Republikës sonë kërkon reagim e dënim. As këtij personi dhe askujt tjetër nuk do duhej t’ja lejonim ta keqpërdornin hapësirën publike për t’na fyer e sharë.