Disa vende evropiane kanë filluar rihapjen e shkollave pas lehtësimit të masave parandaluese kundër pandemisë së koronavirusit.
Por Kosova ende nuk ka një datë për rikthimin e mundshëm të nxënëseve në bankat shkollore.
Që nga 11 marsi të gjitha institucionet arsimore vazhdojnë të mbesin të mbyllura. pasi institucionet ende nuk kanë nisur masat lehtësuese në arsim.
Në Ministrinë e Arsimit të Kosovës nuk kanë ende vendim nëse nxënësit do të kthehen në shkollë për të vazhduar pjesën e mbetur për këtë vit.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, thotë se është vështirë të parashikohet kthimi i nxënësve në shkolla.
“Tani ne jemi në këtë kohë duke menduar se si ta përmbyllim vitin, se si ta organizojmë testin e arritshmërisë dhe si ta organizojmë testin e maturës. Jemi duke bërë përpjekje maksimale se si t’i krijojmë kushtet që të paktën për dy javë të kthehen në shkollë klasat e nënta për t’u përgatitur për testin e arritshmërisë, gjithashtu maturantët për t’u përgatitur për testin e maturës, gjë e cila duket të jetë sfiduese sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ministrja Bajrami në një bisedë për radion “Evropa e Lirë”.
Njohësit e fushës së arsimit në Kosovë theksojnë se rihapja e shkollave duhet të bëhet duke u bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së, si dhe në praktikat e vendeve evropiane.
Rinor Qehaja, nga instituti “EdGuard”, thotë se Ministria e Arsimit duhet të mendojë për një hapje të strukturuar të shkollave.
“Rifillimi i mësimit do të duhej të ishte subjekt i një vendimi të bazuar shkencor mbi transmetimin e sëmundjes nga grup-moshat e reja, kjo e paraqitur si rekomandim nga Instituti i Shëndetit Publik. Nëse është dëshmuar nga publikime shkencore dhe praktika të vendeve tjera që transmetimi mes fëmijëve është i vogël, atëherë kjo duhet të jetë pikënisje e një hapjeje të strukturuar të institucioneve arsimore”, thotë Qehaja.
Këshilli i Prindërve të Kosovës është i shqetësuar për gatishmërinë e institucioneve për të filluar një vit të ri normal mësimor në muajin shtator.
Udhëheqësi i këtij këshilli, Ymret Reshiti, thotë për radion “Evropa e Lirë” se Ministria e Arsimit duhet marrë praktikat e shteteve perëndimore, duke krijuar distancën fizike mes nxënësve në klasa, si dhe ndarjen e nxënësve në grupe me orare të ndryshme.
“Ministria e Arsimit duhet që t’i provojë të gjitha variantet që janë më praktike, që e mundësojnë mbajtjen sa më efektive të procesit mësimor nga shtatori. Nëse thuhet se kanë qenë të papërgatitur për këtë fazë që jemi ballafaquar me pandeminë, nuk arsyetohet mungesa e një sistemi ‘online’ për rastet si kjo që ka ndodhur. Ministria e Arsimit duhet të marrë praktika dhe modele që i praktikojnë vendet evropiane dhe t’i aplikojë nga shtatori, nëse vazhdon pandemia”, thotë Reshiti.
Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, thotë se numri i madh i nxënësve nëpër klasa mbetet sfidë shumë e madhe për sistemin arsimor në Kosovë.
Sipas saj, periudha e pushimit të verës do të shërbejë për të gjetur një zgjidhje praktike për mbarëvajtje normale të mësimit edhe në rast të vazhdimit të pandemisë.
“Të ju them të drejtën, ende nuk kemi ardhur në përfundim. Jemi shumë të koncentruar në përfundimin e këtij viti dhe në organizimin e dy testeve, pastaj intensivisht duhet të punohet për të gjetur një zgjidhje për fillimin e vitit të ri shkollor”, thotë ministrja Bajrami.
Shumë vende evropiane i kanë hapur shkollat, duke përfshirë këtu Gjermaninë dhe Austrinë. Mirëpo edhe në këto shtete janë vendosur masa parandaluese të shpërndarjes së virusit, duke përfshirë distancën fizike, uljen e numrit të nxënësve nëpër klasa, si dhe dezinfektimin e vazhdueshëm.