Ministrat e drejtësisë të të dyja vendeve së bashku me ekipet e tyre, sot patën një vizitë në ambientet e Institucionit Korrektues në Gjilan.
Në këtë vizitë ata u njoftuan me gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës së përgjithshme të institucionit si dhe shërbimet që ofrohen aty.
Po ashtu, delegacionet vizituan edhe ambientet e banimit duke përfshirë edhe dhomat e të paraburgosurve dhe të dënuarve ku u njoftuan nga afër me kushtet dhe standardet që ofron ky institucion.
Ministri i Drejtësisë i Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hakerup, falënderoi ministren e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiun, për mikpritjen dhe mundësinë për të parë për së afërmi ambientet e burgut ku pritet të vendosen të dënuarit nga Mbretëria e Danimarkës, sipas pajtimit të të dy vendeve.
Kjo vizitë vjen pas nënshkrimit të dy letër-qëllimeve; Njëri për vënien në shfrytëzim të një institucioni korrektues si dhe tjetri për investime në energjinë e ripërtëritshme dhe për bashkëpunim politik.