Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e shoqëruar nga Kryetari i Odës së Noterëve të Republikës së Kosovës, Aliriza Beshi, me ftesë të Dhomës Federale Gjermane të Noterëve me seli në Berlin, u prit në takim nga Kryepërfaqësuesi për Çështje Ndërkombëtare i kësaj Dhome, Richard Bock.
Në takim u diskutua për propozimet e Dhomës Federale Gjermane të Noterëve lidhur me nismat për ndryshime në legjslacionin e zbatueshëm në fushën e Noterisë nga Ministria e Drejtësisë në Republikën e Kosovës, me ç’rast z. Bock shprehu gatishmërinë e Dhomës Federale Gjermane të Noterëve për të vazhduar edhe më tej mbështetjen e tyre për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm për stabilitetin e sistemit noterial në Kosovë.
Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë e shkëmbimit të përvojave në fushën e noterisë midis Republikës së Kosovës dhe shtetit të Gjermanisë, si dhe për digjitalizimin e sistemit noterial të Kosovës duke u shërbyer me shembullin e sistemit digjital të noterisë gjermane.
Ministrja Haxhiu duke falënderuar z. Bock dhe Dhomën Federale Gjermane të Noterëve për mbështetjen e ofruar deri më tani për Ministrinë e Drejtësisë dhe Odën e Noterëve të Republikës së Kosovës, e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm vazhdimin dhe thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.