Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sonte ka marrë pjesë në diskutimin “Procesi i Vetingut: Qëndrimi i Komisionit Evropian kundrejt Qeverisë së Kosovës”.
Në diskutimin e organizuar nga Demokracia për Zhvillim – D4D i cili u mbajt në Prishtinë, gjithashtu kanë marrë pjesë z. Besnik Tahiri, Anëtar i Komisionit për Legjislacion, Kuvendi i Kosovës, z. Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi-IKD si dhe z. Kreshnik Gashi nga Balkan Investigative Reporting Network – BIRN, si moderues i diskutimit.
Ministrja Haxhiu fillimisht informoi të pranishmit se pas miratimit të Koncept Dokumentit për Zhvillimin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka filluar puna në kompletimin e legjislacionit sa i përket rekomandimeve që dalin nga Koncept Dokumenti lidhur me ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore. Tutje znj. Haxhiu përmendi reformën në drejtësi, përfshirë rëndësinë për zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit për të cilën tashmë ka veprime konkrete.
Të pranishmit tjerë potencuan rëndësinë e një procesi serioz dhe profesional, i cili ka nevojë për bashkërendim dhe bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe gjithashtu, konsensusi i nevojshëm politik marr parasysh rëndësinë e reformës.
Të pranishmit diskutuan tutje për sfidat me të cilat ballafaqohet ky proces, përfshirë mekanizmin për vetingun, procesin përzgjedhës, kriteret profesionale dhe rëndësinë e planifikimit të duhur të një procesi i cili do të garantonte llogaridhënie e rezultate dhe gjithashtu, profesionalizëm dhe kthim të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.