Ministrja Nagavci takon mësimdhënësit dhe drejtorët e institucioneve edukativo arsimore të komunës së Gjilanit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot u prit në takim në objektin e ri të shkollës së arteve pamore “Adem Kastrati” nga kryetari Alban Hyseni, drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Selvete Sylejmani si dhe nga mësimdhënësit dhe drejtorët e Institucioneve Edukativo Arsimore të komunës së Gjilanit.
Ministrja dëgjoi kërkesat e shqetësimet e tyre që përfshinin problemin me norma të mësimdhënësve, pagesat e kujdestarisë, nevojën për numër më të madh të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, për profile të reja profesionale, si dhe çështje të tjera të rëndësishme.
Ministrja Nagavci shfaqi gatishmërinë për bashkëpunim për ngritjen e cilësisë dhe zgjidhjen e problemeve në arsim, përkrahjen e kërkesave që erdhën nga ky takim, e poashtu theksoi se nga qeveria ky vit është shpallur si vit i personave me nevoja të veçanta, ku këtë vit janë angazhuar 100 asistentë, ndërsa në vitin vijues pritet të angazhohen edhe 300 asistentë të tjerë, për të mbuluar kërkesat në nivel vendi.
Në fund, Ministrja Nagavci premtoi se ky nuk do të jetë takimi i vetëm me mësimdhënës, dhe se çështjet të cilat u dakorduan sot se do kenë prioritet, do të mbeten si të tilla deri në realizimin e tyre.
Poashtu nga drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, zonja Selvete Sylejmani, u paraqitën profilet e reja në shkollat profesionale për vitin shkollor 2022/23, si dhe profilet të cilat priten të fillojnë nga viti shkollor 2023/24 në shkollat profesionale të komunës së Gjilanit.