Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka nënshkruar vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport,me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe konkurrencës së ndershme në tregun vendor.
Me këtë vendim është përcaktuar marzha tregtare maksimale e lejuar si në vijim: Shitja me shumicë: deri në 2 euro cent për litër, Shitja me pakicë: deri në 12 euro cent për litër.
“Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga ana e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien”, thuhet në komunikatë.