Kontestimi i legjitimitetit të qeverisë nga partitë opozitare, përplasjet në Kuvendin e Kosovës mes partive politike, mos-liberalizimi i vizave, dështimi i Kosovës të bëhet pjesë e INTERPOL-it, dhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi, këto janë temat që e karakterizojnë vitin 2018 në Kosovë.
Ndërsa, e vetmja çështje që po konsiderohet sukses, dhe që arriti të bëjë bashkë pozitë e opozitë, është votimi i ligjeve që i hapën rrugë transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë po konsiderojnë se edhe gjatë vitit 2018, kanë vazhduar dështimet në fusha të ndryshme.
Analisti politik, Behlul Beqaj, thotë për KosovaPress se viti 2018, u mbyll me dështime dhe zhgënjime të mëdha.
Beqaj përmend edhe pagesën e qeverisë për Bechtel Enka, prej 53 milionë euro, e cila sipas tij, ka kaluar sikur të ishin në pyetje disa euro, e jo një shumë e jashtëzakonshme e mjeteve, e cila ka shkuar pa dhënë një arsyetim të qëndrueshëm, qoftë nga kjo qeveri apo qeveritë e mëhershme.
Ndërsa, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se gjatë vitit 2018, në aspektin e arenës ndërkombëtare ka pas mungesa të shumta.
Ajo shton se në çështjen e dialogut me Serbinë, konsensusi është i munguar, sepse duhet të përfshihen të gjithë.
Rasim Alija nga D4D, thotë se vështirë të gjendet ndonjë sukses i shënuar gjatë vitit 2018.
Një tjetër temë që e karakterizon 2018-ën, është edhe ajo e korrigjimit të kufijve, e proklamuar nga presidenti i vendit, por që nuk gjeti përkrahje nga askush nga spektri politik kosovarë, madje as nga shumë aleat ndërkombëtar.