Deputetët e pozitës me 61 vota për kanë miratuar ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës në Mitrovicë të Veriut, shkruan Gazeta Metro.
Në këtë seancë, deputetët votuan rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësin për pagesën e rrymës për serbët në katër komunat veriore.
Sipas këtij vendimi, për këto komuna në veri të Kosovës u është ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës.
Javën e kaluar, komisioni kishte miratuar propozimin e KOSTT-it për ndarjen e këtyre mjeteve.
Pas këtij vendimi, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i opozitës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka akuzuar Qeverinë Kurti se në kundërshtim me zotimet e saj ka miratuar këtë vendim, duke shtuar se e njëjta Qeveri kishte anuluar shtesat prej 30 eurove për pensionistët.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se Qeveria Kurti se po ndërmerr veprime të cilat i kishte kundërshtuar si opozitë.
Ndërsa në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thuhet se 11 milionë euro është shuma të cilën duhet ta paguajnë shumica e qytetarëve të Kosovës, për një pakicë e cila vet dhe në bashkëpunim me Serbinë, sfidon institucionet tona.
Në votim e sotëm morën pjesë deputetët e Vetëvendosjes dhe disa të minoriteteve.