Prishtina është duke e zhvilluar fazën e fundit përgatitore para ndeshjeve parakualifikuese në Ligën e Evropës.
Nënkampionia dhe fituesja e Kupës do të udhëtoj të martën për në Gjibraltar për t’u përballur me fituesen e kupës së këtij vendi, FC Europa.
Ditë më parë, Prishtina është zhvendosur në Pejë, te Banja e Pejës derisa një pjesë të stërvitjeve po i zhvillon në stadiumin “Shahin Haxhiislami”.
Trajneri i “bardhekaltërve”, Mirel Josa është shprehur i kënaqur me kushtet e ofruara nga kryesia e klubit duke potencuar se përgatitjet po ecin mjaftë mirë.
Skuadra nga kryeqyteti do të udhëtojë me disa mungesa në ndeshjen e parë pasi Gjilani nuk i ka lëshuar fletëlëshimin për dyshën e mbrojtjes Armend Thaqi dhe Leotrim Bekteshi.
Trajneri Josa, veprimin e drejtuesve të klubit gjilanas, e ka cilësuar si të dëmshëm për futbollin kosovar dhe jo vetëm për skuadrën e tij.