Doli nga shtypi libri i dytë i mësueses dhe autores gjilanase Mirvete Haziri-Bucolli, me titull “Dritaret e shpirtit”.
Një zë i brendshëm që gjen qetësinë në fjalë dhe ndjesi që marrin frymë përmes vargjeve, duke shndërruar poezinë në një udhëtim të ndjerë shpirtëror.
Ky botim përfaqëson vazhdimësinë e krijimtarisë së autores, një lundër poetike që e shoqëron kudo dhe që bart me vete përjetime, kujtime e emocione që nuk anashkalohen kurrë në jetën njerëzore. Çdo poezi është një dritare e hapur drejt shpirtit, një kujtim i ndritshëm që flet me ndjeshmëri dhe sinqeritet.
Përmes “Dritareve të shpirtit”, autorja ndan me lexuesin një pjesë të vetvetes – një shpirt të thjeshtë, të ndjeshëm dhe të respektuar, që di të prekë zemrat përmes fjalës së bukur.
Në një falënderim të veçantë, Mirvete Haziri-Buçolli shpreh mirënjohje për të gjithë ata që ndajnë me të rrugëtimin krijues, duke paralajmëruar se nuk do të ndalet këtu, libri i radhës do t’i kushtohet botës së fëmijëve, të cilën ajo e përshkruan si botë kristalesh.