Konsumimi i mjaltit nga një burim i vetëm lulesh mund të përmirësojë kontrollin e sheqerit në gjak dhe të ulë nivelet e kolesterolit kur merret në kontekstin e një diete të shëndetshme – pohon një studim i fundit i botuar në Nutrition Reviews.
“Këto rezultate janë befasuese, sepse mjalti është rreth 80 për qind sheqer”, ka thënë në një njoftim për shtyp Tauseef Khan, kryesuesi i studimit dhe një bashkëpunëtor kërkimor në shkencat ushqyese në Shkollën e Mjekësisë Temerty të Universitetit të Torontos.
“Nuk po themi se duhet të filloni të hani mjaltë nëse aktualisht po shmangni sheqerin. Çështja ka të bëjë më shumë me zëvendësimin”
“Nëse përdorni sheqer konsumues, shurup ose një ëmbëltues tjetër, zëvendësimi i këtyre sheqernave me mjaltë mund të zvogëlojë rreziqet kardio-metabolike”, ka thënë tutje.
Studiuesit e Torontos kryen një rishikim sistematik dhe meta-analizë të 18 provave klinike që përfshinin mbi 1.100 pjesëmarrës për të përcaktuar efektin e mjaltit në zemër dhe faktorët e rrezikut metabolik, sipas një publikimi të studimit.
“Në studimin tonë, kombinuam rezultatet e të gjitha studimeve të mjaltit te njerëzit, të cilat janë marrë me sëmundjet metabolike”, ka theksuar Khan për Fox News Digital.
Konsumimi i mjaltit u shoqërua me nivele më të ulëta të glukozës në gjak, kolesterolit total dhe triglicerideve, ndërsa madhësia e reduktimit të glukozës dhe kolesterolit ishte “klinikisht shumë e vogël”.
“Megjithatë, kjo tregon se marrja e mjaltit nuk është e dëmshme dhe se një reduktim i vogël mund të jetë gjithashtu i dobishëm në planin afatgjatë”, ka shpjeguar Khan.
Ai vuri në dukje se ka një ndryshim midis mjaltit të përpunuar dhe atij të papërpunuar për sa u përket përfitimeve shëndetësore.
“Përpunimi konvencional i mjaltit përfshin kullimin dhe filtrimin dhe më pas ngrohjen e tij për një periudhë të shkurtër kohore për të reduktuar lagështinë dhe majanë”, është shprehur Khan.
Kjo lejon manipulimin më të lehtë të mjaltit – tha ai – por në fakt e dëmton mjaltin dhe shumë nga përbërësit e tij bioaktivë humbin efektivitetin e tyre.
Khan gjithashtu vuri në dukje se njerëzit mund të eksperimentojnë “me zëvendësimin e sheqerit me mjaltë, duke pasur parasysh se mjalti ka një shije më të ëmbël – kështu që do të nevojiteshin sasi më të vogla”.