Të gjitha institucionet shëndetësore të vendit sot kanë hyrë në grevë 24 orëshe, me kërkesën për ngritje të pagave për profesionistët shëndetësorë.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka bërë të ditur se kërkesë e tyre është kalimi i Ligjit mbi pagat, duke u bazuar në amendamentet e FSSHK-së apo Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, si dhe të fillojë menjëherë implementimi i ligjit.
Nënkryetari i FSSHK-së, Xhemajl Selmani, ka thënë për KosovaPress se greva ka ardhur pas mbledhjes së Këshillit Drejtues që është mbajtur pas grevës së parë të mbajtur më 17 dhjetor të këtij viti.
Ai tha se nuk ka pasur reflektim të institucioneve të Kosovës pas grevës së parë që e kanë mbajtur.
Selmani: Arsye e grevës- ngritja e mirëqenies sociale të punëtorëve shëndetësorë
“Arsyet janë të njëjta, ngritja e mirëqenies sociale të punëtorëve shëndetësor. Po presim reflektimin e Qeverisë edhe pse qeveritarët tanë nuk kanë reflektuar, përveç ministrit. Me të tjerët aktualisht nuk kemi ndonjë kontakt, nuk na kanë ftuar as në bisedime, po presim por ka mundësi qe grevën ta përshkallëzojmë nëse vazhdon kështu heshtja e qeveritarëve”, u shpreh ai.
Ai bëri të ditur se ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili kishte qenë në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës që është mbajtur javën e kaluar. E sipas tij kërkesat e tyre po arrijnë të kalojnë vetëm deri te ministri Ismaili dhe jo tek institucionet tjera.
Për këtë ai paralajmëron se mund të hyjnë edhe në grevë të përgjithshme.
Selmani: Nëse nuk do të ketë reflektim ne do ta përshkallëzojmë grevën
“Nëse nuk do të ketë reflektim, ne do ta përshkallëzojmë grevën dhe jo vetëm grevën, po ka mundësi që të ndërrojmë vendimet protesta, deri edhe në greva të rënda që mos e dhëntë Zoti të futemi në grevë të tipit të Zagrebit. Pasi kemi kërkesa nga anëtarësia jonë dhe kolegët tanë që ne faktikisht ta lëmë punën edhe aty ku me ligj është e ndaluar”, tha ai.
Në grevë ka hyrë edhe Klinika Emergjente në QKUK, megjithatë shërbime shëndetësore po ofrohen vetëm për rastet kur ka rrezik për jetë.
Drejtori i kësaj klinike, Basri Lenjani, ka thënë se do të pranojnë vetëm rastet emergjente. Ai ka bërë të ditur se si staf i Klinikës Emergjente mbështesin kërkesat e profesionistëve shëndetësor.
Lenjani: Emergjenca përkrahë kërkesat e adresuara nga federata
“Stafi i Klinikës Emergjente është përkrahës i kërkesave të adresuara nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, dhe ne si shërbim Klinik Emergjent jemi në nivel të detyrës tonë dhe iu ofrojmë kujdes emergjent mjekësor. Por, kërkojmë nga institucionet më të larta qeveritare që kërkesat e stafit të profesionistëve të kujdesit shëndetësor të realizohen dhe të paktën të fillojmë në ngritjen e shërbimeve dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, tha ai.
Mbështetje grevës së punëtorëve shëndetësorë i ka dhënë edhe kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, i cili ka thënë se kërkesat e tyre janë reale.
Sejdiu: Jemi plotësisht mbrapa kërkesave, pasi janë kërkesa reale
“Jemi plotësisht mbrapa kërkesave, sepse janë kërkesa reale, kërkesa të cilat ju kanë drejtuar institucioneve tona politike gjatë kohës së verës dhe është arritur një marrëveshje që përmes ligjit të pagave të rregullohet kjo dhe do të rregullohet. Kjo ka arritur në një zonë të errët dhe ne si profesionistë shëndetësor nuk dimë se çka është ka ndodh. Prandaj, ne i kemi mbështetur në kërkesat e tyre”, u shpreh ai.
Federata e Sindikatave Shëndetësore të Kosovës edhe më 17 dhjetor kishin mbajtur grevë 24 orëshe me kërkesat e njëjta.