Mjekët apelojnë te qytetarët që këto ditë me temperatura të larta të shmangin qëndrimin në diell, nga mesi i ditës e deri në mbrëmje.
Ata u rekomandojnë sidomos pacientëve të cilët kanë probleme kronike shëndetësore si dhe fëmijëve që t’i shmangen ekspozimit në diell, sepse mund të rrezikojnë shëndetin.
Ndryshimi i temperaturave mund të ndikojë negativisht në shëndetin e gjithë qytetarëve, por më të ndejshmit janë të sëmurët kronikë, pacientët me probleme në zemër, të moshuarit si dhe fëmijët, tha për Radio Kosovën Avdush Bajgora, mjek emergjent.
“Unë si mjek emergjent, u kisha preferuar të gjithë pacientëve të cilët kanë probleme me sistemin kardio-vaskular, respirator, diabetin dhe fëmijëve që të marrin sa më shumë lëngje. Prej orës 10-17 t’iu shmangen temperaturave të larta duke qëndruar nën hije”.
Po ashtu, punëtorët që punojnë në ndërtimtari, janë më të atakuarit nga temperaturat e larta. Dr Bajgora, tha se ka pasur raste kur jeta e tyre ka përfunduar me fatalitet, pikërisht si pasojë e temperaturave të larta.
“Punëtorët të cilët punojnë në lartësi, ata që punojnë në rrokaqiej edhe këta mund të jenë të atakuar si rezultat i punës që e bëjnë dhe si rezultat i humbjeve të lëngjeve dhe temperaturave të larta. Si rezultat i kësaj kemi pasur shumë raste, ku një ndër shkaktarët ka qenë se punëtorët kanë rënë nga lartësia dhe kanë përfunduar edhe me fatalitet”.
Dr. Bajgora, këshillon qytetarët që t’i reduktojnë sa më shumë daljet nga shtëpia nga ora 10 deri në 17-të, si dhe ata qe kanë probleme kronike shëndetësore të bëjnë vizitat sistematike të mjeku.
Autor: Vaide Morina