Me përcaktimin e koeficientit të ri të pagave kanë shprehur pakënaqësi edhe mjekët. Kjo u bë e ditur përmes një pyetësori të krijuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, në të cilën morën pjesë 1436 mjekë.
Sipas këtij pyetësori, i cili ishte i hapur për tre orë, 55.5% e mjekëve janë aspak të kënaqur me vlerën e koeficientit të pagave prej 105 euro, përcjell teve1.info
31.7% prej tyre janë pajtuar pjesërisht, ndërsa 12.7% janë pajtuar plotësisht.
Kategoria e mjekëve të përfshirë në këtë pyetësor janë doktor të mjekësisë 21.9%, specializant 17.2% dhe mjek specializant 60.9%.
Vlera e koeficientit të pagës për 82 mijë zyrtarë publik për vitin 2023 do të jetë 105 euro. Këtë vendim e ka marrë Qeveria në mbledhjen e sotme përderisa është miratuar edhe plotësim-ndryshimi i Buxhetit për vitin 2023.
Por cilat do të jenë pagat në sektorin e shëndetësisë me ligjin e ri?
Drejtori i ShSKUK-së do ta ketë pagën më të lartë në këtë sektor, 1470 euro bruto.
Mjeku specialist me ligjin e ri do ta ketë pagën 1260 euro bruto.
Mjeku në specializim ndërkohë do ta ketë pagën 840 euro bruto.
Mjeku i përgjithshëm, stomatologu, farmacisti e mjeku veterinar do ta kenë pagën 777 euro bruto.
Pagat e infermierëve do të sillen pavarësisht kualifikimit dhe kategorizimit nga 588 euro paga më e lartë, kurse më e ulët për ndihmësinfermierin, 472 euro bruto.
Ndërsa kryeinfermieri do ta ketë pagën 672 euro bruto.
Ndryshe, plotësim-ndryshimi i ligjit që i hap rrugën këtyre pagave duhet të votohet edhe në Kuvend.
Ndërsa nga ana e Qeverisë kanë thënë se Ligji për Paga do të hyjë në fuqi më 5 shkurt.