Ka vazhduar edhe në vitin 2020 trendi i kërkesave të mjekëve për marrjen e vërtetimeve për t’u larguar nga Kosova.
Numri i atyre që kanë arritur të largohen është zvogëluar në vitin që lamë pas, si pasojë e pandemisë, kështu tha kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
“Gjatë këtij viti kemi pasur 92 kolegë tonë të cilët kanë kërkuar vërtetimin që u duhet për regjistrim në shtetet ku drejtohen dhe është trend si i viteve të kaluara. Këtë vit numri është i vogël për shkak të barrikadës së qasjes së tregut gjerman. Mundësia e qarkullimit këtë vit ka qenë më i paktë për shkak të pandemisë dhe kjo neve na brengos sepse janë mjekë të rinj dhe kjo bënë që rigjenerimi i resurseve njerëzore të pësojë”.
“Një pjesë të madhe ne kemi kontaktuar të cilët edhe kanë bërë kërkesën për qartësim nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Do të thotë ata veçse janë akomoduar në shtete të ndryshme por shumica prej tyre janë në Gjermani”, tha Sejdiu.Ndërsa, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla tha se arsyeja e ikjes së mjekëve nga Kosova është politizimi i shëndetësisë.“Edhe në këtë kohë pandemie ka kërkesa të mjaftueshme të cilët kërkojnë ato vërtetime që të dalin nga Kosova. Tashmë shkaqet janë ka dihen pse po ikin mjekët. Ata po ikin për një jetë më të mirë dhe një zhvillim dhe edukim të vazhdueshëm dhe specializim më të mirë dhe janë të lodhur me politizimin e shëndetësisë. Kërkesat tona i kemi shtesa në pagë bazuar në Ligjin e pandemisë të vazhdojë deri në ligjin e ri të pagave dhe në shëndetësi të rritet buxheti”.
“Duhet të kenë kujdes të gjithë politikanët që buxheti të rritet dhe të ndalohen të gjitha investimet kapitale për këtë kohë sepse nuk ka më të rëndësishme se shëndeti. Të furnizohemi me barna, të krijohen kushte dhe siguri në punë për të gjithë punëtorët shëndetësor, të pajisen me mjete mbrojtëse dhe të kemi një investim të vazhdueshëm. Punëtorët shëndetësor jo që janë të stërlodhur por kam frikë se do të ketë edhe pasoja psikike në të ardhmen”.
Tutje, Sejdiu thotë se profesionistët shëndetësor po përballen me një situatë të vështirë pandemike, duke shtuar se përkushtimi i profesionistëve shëndetësor nuk është shpaguar dhe se në mungesë të mjeteve mbrojtëse po atakohen çdo ditë nga virusi.
“Gjendja e punonjësve shëndetësor nuk dallon shumë prej gjendjes së përgjithshme sa i përket përhapjes së virusit në nivel të popullatës. Fatkeqësisht numri i të infektuarve është mjaft i madh tek mjekët. Fatkeqësisht kemi pasur 13 humbje jetësh nga ana e mjekëve kështu që nuk kemi qenë as ne më të mbrojtur përkundër rreziqeve shumë të mëdha që kemi pasur sepse një pjesë e kolegëve tonë janë në kontaktin e përhershëm me rrezikun. Shpresojmë për më të mirën në të ardhmen”, shtoi Sejdiu për Ekonomia online.Sipas Sejdiut ka pasur raste kur mjekët janë gjendur në situatë të vështirë në mungesë të materialeve mbrojtëse. Megjithatë, ai tha se ka munguar edhe disiplina brenda institucioneve shëndetësore ndaj qasjes së pakontrolluar të vizitorëve.
“Trajtimi ka qenë i njëjtë. Ka pasur faza kur me të vërtetë kemi qenë në pozitë të keqe si profesionistë shëndetësor ku faza-faza ka pasur mungesë të materialeve mbrojtëse. Mungesa e një disipline brenda institucioneve shëndetësore ndaj qasjes së pakontrolluar nga popullata përkatësisht nga vizitorët ka bërë edhe më të rrezikshme situatën edhe më pak të kontrollueshme dhe problemet në menaxhimin e situatës brenda spitaleve ka qenë mjaft e vështirësuar”.
“Tash Qeveria sa ka qenë në gjendje me ofruar ndihmë nuk mund të them që nuk ka pasur aktivitete për përmirësimin i gjendjes sa i përket mbrojtjes së punëtorëve shëndetësor ka qenë faza kur në të vërtetë ka pasur mungesa të mëdha”.
Gjithashtu edhe Syla thotë se gjendja psikofizike e punonjësve shëndetësor është shumë e rënduar, pasi asnjëherë nuk janë marrë seriozisht nga institucionet vendore.Megjithatë, ai tha se pagesat shtesë për punonjësit shëndetësor nuk janë të mjaftueshme, duke shpresuar që viti i ardhshëm t’i gjejë me Ligjin e ri të pagave.
“Gjendja psikofizike e punonjësve shëndetësor është mjaft e rënduar. Mbi 2 000 punëtorë shëndetësor tashmë e kanë kaluar Covidin dhe janë 21 raste të vdekjes. Si çdo herë politika e ka bërë të veten nuk e kanë marrë asnjëherë seriozisht shëndetësinë dhe tani vazhdon e njëjta gjendje. Nuk është ai trajtim që e kemi dëshiruar. Federata Sindikale e Shëndetësisë i ka pasur parasysh pagesat shtesë pasi nuk ka kaluar ligji i pagave dhe ka qenë shumë e kujdesshme që të mos dëmtojë buxhetin e Kosovës”.
“Na e dimë që pagesa shtesë nuk janë të mjaftueshme mirëpo duhet të jemi të kujdesshëm sesa mund të kërkojmë dhe sa mund të arrijmë qëllimet tona. Unë shpresoj që viti i ardhshëm do të na gjejë me Ligjin e ri të pagave dhe deri atëherë duhet të vazhdojë kjo pagesë shtesë”, u shpreh Syla.Në fund, doktor Sejdiu vlerëson se muaji maj eventualisht qershori mund të jetë përfundimi i pandemisë.
“Kjo është vështirë të thuhet sidomos projeksionet më të mira janë maji eventualisht qershori. Shtetet më të avancuara flasim për nivelin e hulumtimeve nuk kanë një projeksion të qartë se kur mund të kemi një çlirim prej kësaj pandemie. Shpresojmë se çështja e vaksinimit do të jetë një numër sa më i madh e cila do të bënte zbritjen e lakores së përhapjes së virusit”, shtoi Sejdiu.