Doktoresha e Spitalit të Gjilanit, gjinekologia Burbuqe Mustafa ka bërë një hap jashtëzakonisht të guximshëm në një rast tepër të komplikuar dhe jo vetëm që e ka shpëtuar beben, por ka arritur ta rikthejë në jetë edhe nënën e “vdekur”, duke i sfiduar kështu rregullat shkencore. Pakkush prej mjekëve i hyn një rreziku të tillë, ku gjasat për të dalë me sukses janë minimale.
ILMI MUSLIU
Ky ka qenë njëri prej rasteve më të rënda që mjekja Mustafa, me një përvojë 19-vjeçare, ka përjetuar në karrierën e saj si gjinekologe. Për nga diagnoza, rasti është i njëjtë me atë të gazetares kosovare, e cila vdiq në Hungari, gjatë lindjes së tretë. Rastet e tilla të komplikuara, që mjekësia i njeh si “placenta previa percreta” janë të rralla dhe për fat të keq, kryesisht përfundojnë me vdekje.
Te rastet e tilla si ky i 31-vjeçares Ajtene Haliti, e cila dy lindjet e para i kishte kryer me operacion cezarian, nuk preferohet assesi një shtatzëni e tretë, për shkak të rrezikut të madh që ekziston për të mos mbijetuar as nëna dhe as foshnja. Te këto raste, në momentin e ndërhyrjes për të nxjerrë frytin nga placenta, përnjëherë shpërthen gjakderdhja masive dhe lehona vdes. Edhe pacientja Ajetene Haliti përjeton arrest kardiak, që nënkupton “vdekje”.
“Te rasti konkret, placenta ishte e inceruar në vendin e plagës së mëparshme dhe në momentin e prerjes për të nxjerrë frytin e gjinisë mashkullore, lëshohet një gjakderdhje profuze dhe pacientja bie në arrest kardiak”, tregon mjekja Burbuqe Mustafa, që njëherësh është edhe shefe e Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.
Me ndihmën e ekipit operativ dhe anesteziologut arrihet që pacientes t`i kthehen parametrat vitalë, përkatësisht rikthimi i saj nga vdekja në jetë.
“Ishte një moment i rëndë kur anesteziologu më bëri me dije se nëna nuk po jepte shenja jete, derisa ne po përpiqeshim ta shpëtonin atë. I ndërmorëm të gjitha veprimet për ta rikthyer në jetë nënën dhe pastaj në kohën më të shkurtër të mundshme bëmë largimin e mitrës dhe e ndalëm gjakderdhjen”, thotë mjekja Mustafa, e cila nuk kishte hasur në raste të tilla deri më tani, meqë janë të rralla dhe zakonisht përfundojnë me fatalitet.
Shtatzëna A.H. nga Gjilani ishte sjellë në spitalin e këtushëm për të kryer lindjen e tretë. Dy lindjet e para i kishte kryer me operacion – prerje cezariane. Te rastet e tilla, shtatzënia e tretë nuk rekomandohet assesi.
Pasi pacientja përgatitet për lindje, futet në sallë dhe fillon hapja e abdomenit, mjekët hasin në një “placentë previa percreta”, e cila ishte e inceruar në vendin e prerjeve të mëhershme gjatë dy lindjeve të para, që janë raste shumë të rralla dhe përfundojnë me fatalitet.
Fati deshi që kjo nënë e re të bjerë në duart e një mjeke të shkathtë e të guximshme, siç është Burbuqe Mustafa, e cila bashkë me ekipin e saj e arriti të fitojë një betejë gati të pamundur, duke shpëtuar dy jetë njerëzore. Pas pesë ditësh, nëna Ajetne Haliti kthehet në shtëpi, pranë dy fëmijëve tjerë, në gjendje të mirë shëndetësore. Fatmirësisht, familja Haliti tani ka tre fëmijë.
Raste të tilla ku duhet reaguar me urgjencë për të largohet mitrën, në mënyrë që të shpëtohet jeta e nënës, hasen rrallë në praktikën mjekësore. Janë raste ku bëhet fjalë për jetë apo vdekje të pacientes.
Komplikime të tilla ndodhin kryesisht te gratë që kanë kryer lindje me operacion.