S.H., 44-vjeçar nga Malisheva, po e akuzon gruan e tij, se e ka dëbuar nga shtëpia. Meqenëse s’ka vend tjetër, thotë se është detyruar të flejë në ahur. Me të njëjtën, ai është i martuar qe 16 vjet dhe kanë pesë fëmijë. Ky nuk është problemi i parë që ata kanë pasur në familje.
Ai kishte qëndruar në burg gati 1 vit, pasi dyshohej se e kishte kërcënuar dhe sulmuar gruan e tij 33-vjeçare, të cilën sot po e akuzon. Burri nga Malisheva ka rrëfyer për Gazetën Sinjali situatën që pasoi pasi ai përfundoi dënimin me burg.
Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte shpallur S.H, fajtor pasi në korrik të vitit 2019, kishte sulmuar gruan e tij, duke e kapur për fyti, për shkak se e njëjta ishte vonuar për t’u kthyer nga puna në shtëpi. Në ditën kritike, ai e kishte kërcënuar atë duke i thënë se “hec mjeli lopët se kam ma ta hekë kryet”. Për këtë rast ai u dënua dhe qëndroi në burg për 10 muaj. Problemet në familjen e tij vazhduan kur ai doli nga burgu.
Çfarë ndodhi kur ai doli nga burgu?
44-vjeçari po e akuzon gruan e tij, e cila është nga Shqipëria, se e ka dëbuar nga shtëpia dhe nuk po e lejon të qëndrojë me fëmijët e tij.
“Unë jam i martuar me një grua të Shqipërisë, me to i kom 5 fëmijë. Ajo ka kërku me u nda, m’ka çu në burg 12 muaj. Për kurgjo hiç. Pa e prekë me dorë m’kanë çu në burg. Më kanë akuzu qëllimisht. Ajo m’ka qitë prej shpisë. Në ahur po rri, me nanën. Ajo s’po do me çu jetën me mu. Duhet me gjet ni zgjedhje, jam në zor, mos të bohet kjo punë ma e madhe”, tha ai për Sinjalin.
Ai thotë se gruaja e tij me qëllim po i bën presion, duke i thënë “veç prekem e të çoj në burg”.
“Më 23 shtator e kam përfundu dënimin. Tash po ma bon hajde prekem, e të çoj në burg, të kalbi. Unë me nanën s’jena në shpi me to. Ajo po na bon presion, po na bën presion shumë. Ajo ka bo kërkesë me u nda. Kur jom dalë prej burgut, kom nejtë në shpi, po tash m’ka çite prej shpisë.”
Ai ka folur edhe për rastin, për të cilin ishte dënuar për kanosje dhe sulm. Burri e pranon se i kishte thënë “ka me ta hekë kryet” gruas së tij, duke e arsyetuar se asgjë s’ka ndodhe se “nuk ia kam hekë kryet”.
“Ajo punon edhe ka punu në atë kohë. Është e vërtetë është që i kom thonë qashtu “hec mjeli lopët se kam ma ta hekë kryet”. Amo qe, kryet s’ia kom hekë. Edhe më ka dërgu në Polici tani. Veç e kom prekë pak te fyti, s’e kom shtrëngu as kurgjo. Ajo drunin e kapi n’dorë, edhe unë e kapa, amo kurgjo s’i kom bo. U mundojsha me i jep puthje e përqafime, amo ajo hiç. Veç më kanë marrë, më kanë çu në paraburgim, tani më kanë dënu“, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se më 5 shkurt 2020, Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur fajtor S.H. për veprat penale “kanosje” e “sulm” dhe i ka shqiptuar dënim unik me burg, në kohëzgjatje prej 10 muajve.
/GazetaSinjali/