Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pritet të nënshkruajë sot kontratë në vlerë prej 1 milion e 319 mijë euro për ndërtimin e sistemit të ri të fushës së lojës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kjo do të bëhet në përputhje me rregulloret, udhëzimet teknike dhe produktet e specializuara për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA, shkruan Express.
Ky tender është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë dhe punët do të kryhet nga grupi i operatorëve ekonomië “HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C.; HATKO Dokuma Tekstil Insaat Taahhut ve Ticaret Ltd. Sti.; Hatko Uluslararasi Spor Teknolojileri A. S.
Sipas njoftimit të publikuar në e-prokurim, kohëzgjatja e kësaj kontrate është për gjashtë muaj. Kontrata është dhënë më 14 mars.
“Ekzekutimi i punëve ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe inxhinierisë, për ndërtimin e sistemit të ri të fushës së lojës, në përputhje rregulloret, udhëzimet teknike dhe produktet e specializuara për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA, në Stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në Prishtinë. Punët do të zbatohen në mënyrën më cilësore sipas kërkesës dhe specifikimit; bazuar në legjislacionin, rregulloret, normat standardet dhe kodet teknike [vendore dhe ndërkombëtare] në fuqi; në kufi të buxheteve dhe brenda afateve kohore të përcaktuara”, është përshkrimi i kësaj kontrate. /GazetaExpress