Në kuadër të javës së 30-të të Superligës së Kosovës në futboll zhvillohet edhe kryendeshja në Gjilan. Kampioni në fuqi Drita pret pretendentin për titull këtë vit Prishtinën, teksa pritet të jetë një superndeshje.
Përderisa, Prishtina nuk guxon të gabojë pasi i duhet pikët në luftën për titull, Drita e luan ndeshjen për prestigj pasi qëndron mirë në pozitën e katërt. Megjithatë, Drita nuk guxon të gabojë vazhdimisht, pasi në ndeshjen e fundit u mposht nga Llapi në Podujevë.
Si rrjedhojë, kampionati ende nuk ka mbaruar dhe secili duhet të ketë kujdes me pikët, pavarësisht pozitës dhe objektivit.
E për një ndeshje të tillë, si gjithmonë tifozët e zëshëm të Dritës, ‘Intelektualët’ janë mobilizuar për të qenë përkrahë klubit të zemrës edhe në këtë sfidë.
Ata kanë ftuar publikisht simpatizantët e Dritës të jenë në stadium të shtunën me fillim nga ora 16:00.
“Të Shtunën arsye me mungu s’ka, të gjithë do të jemi në shkallët e stadiumit , mbrapa transparentit “Intelektualët” në përkrahje të klubit tonë të zemrës”, thuhet në njoftimin e kaltër e bardhëve.