(Foto nga arkivi)
Nën udhëheqjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, është mbajtur takimi me strukturat e partisë, përfshirë kryesinë, kryetarët e nëndegëve, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë, ku janë zhvilluar disa takime në grupe më të vogla për shkak të respektimit të masave anti-COVID-19.
Qëllimi i takimit ka qenë përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që pritet të mbahen pas disa javësh, ku edhe është aktivizuar shtabi zgjedhor, të cilit do t’i prijë kryetari i Degës, Lutfi Haziri.
Këto takime janë zhvilluar me frymë të jashtëzakonshme të unitetit e mobilizimit, në mënyrë që të arrihet fitorja e madhe në zgjedhjet parlamentare.
Kryetari i Degës, Lutfi Haziri, i ka falënderuar të gjitha strukturat e partisë për mbështetjen enorme në të gjitha zgjedhjet që janë mbajtur.
Ai konfirmoi se janë aktivizuar afro 1 mijë veprimtarë në Gjilan, të cilët do të punojnë natë e ditë për fitoren e madhe.
“Të gjithë burrave e grave, të rinjve e të rejave, ju them faleminderit pafund për mbështetjen e vazhdueshme. Lista e LDK-së për deputetë do të jetë listë reprezentative e me integritet të lartë, të cilët komunës sonë do t’i sjellin programe për t’ua bërë jetën më të mirë qytetarëve. Unë apeloj të gjithë rugovistët që si gjithmonë të punojnë natë e ditë, për ta bërë dallimin e madh me partitë tjera”, ka thënë kryetari Haziri.