Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini vazhdon të bëjë presion tek institucionet kosovare për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe, vendim të cilin e lidh me fatin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ajo thotë se pasi të pezullohet taksa do të thërret menjëherë takimin e radhës, por nuk sqaron nëse këtë do ta bëjë në nivel presidentësh, pra Thaçin e Vuçiçin, apo në nivel të Ekipit Negociator, transmeton Reporteri.net.
“Për vazhdimin e plotë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, taksa duhet të pezullohet. Menjëherë pasi që kjo të bëhet unë do të thërras për takimin e rradhës mes dy palëve. Ky dialog duhet të normalizojë plotësisht raportet mes dy shteteve”, ka thënë Mogherini.
Ndërsa sa i përket arritjes eventuale të marrëveshjes mes dy vendeve, këtë ajo e ka lënë në dorë të palëve.
Kujtojmë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë pasi qeveria “Haradinaj” vendosi taksën dhe siç duket pa pezullimin e këtij vendimi nuk do ketë takim të ri mes palëve në Bruksel.