Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistit tjetër, Adem Megjuani, për shkak të përfshirjes në sulm fizik ndaj personave zyrtarë (policëve) në protestën e së shtunës.
Sipas njoftimit ata janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.
Në komunikatën e Policisë thuhet se Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht Njësia e Hetimeve të Përgjithshme sot ka realizuar dy arrestime të natyrës procesorë.
“Arrestimi i parë u krye në orët e paradites kur me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u arrestua dhe u dërgua në mbajtje prej 48 orësh i dyshuari A.M. (Adem Megjuani v.j.), mashkull 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, nën dyshimin e arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022”, thuhet në komunikatën e Policisë, transmeton Telegrafi.
Arrestimi i dytë u krye në orët e mbrëmjes, në dalje të Prishtinës me ç ‘rast, policia arrestoi të dyshuarin D. M (Dardan Molliqaj v.j.), mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin po ashtu ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022”.
Në njoftim thuhet se derisa policia kishte kërkuar të njëjtin në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare, por i dyshuari nuk e kishte përfillur.
“Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në stacionin dhe si vijimësi e hapave të nevojshëm procedural, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia e Kosovës ka publikuar ftesën/vërtetimin mbi dorëzimin e thirrjes së dërguar Dardan Molliqajt, që të paraqitet në polici.