Kryetari i PSD-së , Dardan Molliqaj i është kundërpërgjigjur Kryeministrit Albin Kurti i cili në konferencë për media sot tha se aksioni me miell ndaj ministrit, Hekuran Murati, u bë “për inati”.
Molliqaj ka thënë se Kurti nuk e ka hallin te “inati i kujtdo”, por se sipas tij kryeministri sikletin e ka që PSD po vepron jashtë domenit të tij hegjemonik.
Molliqaj i bën thirrje Kurtit që ta lërë “inatin” dhe t’i plotësojë kërkesat e punëtorëve, shkruan teve1.info.
“Nuk e ka hallin te inati i kujtdo. Madje do të dëshironte të ishte veç inati, që sulmi që bëri të ishte më i pranueshëm në opinion.Sikletin e ka që PSD vepron jashtë domenit të tij hegjemonik. Opozitarizmi ynë nuk ndikohet dhe as frikësohet ndaj kërkesës së tij për dëgjueshmëri. Është e njejta arsye pse i ka hypur në qafë sindikalistëve.Aty ku nuk mundet t’i nënshtrojë përpjeket mundohet t’i depolitizojë. Përpjekje e dështuar.Sido që të jetë, z. kryeministër, lëre inatin, plotësoje kërkesën e punëtorëve”, ka shkruar Molliqaj.