Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj ka kritikuar kryeministrin e vendit Albin Kurti dhe i ka bërë thirrje që të ndal presionin ndaj sindikatave.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Molliqaj ka shkruar se deklaratat e kryeministrit dhe të ministrave po shndërrohen në urdhëra policorë.
Molliqaj ka thënë se Kurti po i braktis idetë e barazisë, të drejtave të punëtorëve e mirëqenies sociale.
“Partia shtet nuk lejon organizata të pavarura. Aq më pak protestuese. Për të ose ka organizata të partisë që duhet t’i instrumentalizojë, ose organizata armiqësore që duhet t’i luftojë. Mendësia totalitare nuk e pranon tjetrin të barabartë por veç të nënshtruar. Dhe kjo s’është diçka e re, sepse ka ndodhur gjithandej ku ka pasur pushtete të tilla”, ka shkruar Molliqaj.
Në fund, Molliqaj ka thënë se Kurti ka braktisur kauzat e qytetarët po e braktisin Kurtin.