Në shënimin e manifestimit tradicional “Ditët e Agimit” nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina – Bunjaku në emër të kryetarit Hyseni falënderoi të gjithë përfaqësuesit politik lokal e qendror, si dhe përshëndeti të gjithë familjet e dëshmorëve.
Në fjalën e saj, Morina – Bunjaku tha se për më shumë se dy dekada vendi frymon me emrin e komandantit dhe luftëtarit, Agim Ramadani.
“Për më shumë se dy dekada ky vend frymon me emrin e strategut, komandantit, luftëtarit – njeriut të kësaj Gryke të Karadakut – heroit Agim Ramadani. Emri Agim gjithmonë synon simbolikën e një lindjeje të re, po për më shumë se kaq, emri i Agim Ramadanit u bë e po jeton si simbol lirie e simbol bashkimi në luftën e UÇK-së.
Për më shumë se dy dekada, ne jemi të bashkuar këtu me emrin e Agimit në emblemën tonë në ndërtimin e lirisë e shtetit si institucione e si popull. Secilin vit e njohim më mirë veten tonë duke parë e njohur Agimin tonë; muzën e tij në pikturë e shkrime letrare – dhe emrin e tij si luftëtar, si Muzë të lirisë sonë; si muzë të zhvillimit tonë e si përpjekje për t’u bërë pjesë e ëndrrave të heroit tonë – Agim Ramadanit”, tha nënkryetarja Morina – Bunjaku.
Nënkryetarja Morina – Bunjaku, gjithashtu, tha se edhe 24 vjet pas, Agimi është ende muza jonë.
Ndryshe, dje është mbajtur tubimi qendror “I këndojmë Agimit” për nderë të 60-vjetorit të lindjes së heroit, Agim Ramadani, ku pjesëmarrës kanë qenë edhe këngëtarë të estradës kosovare.