Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë të të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor dhe ruajtjen e pluralizmit demokratik.
Në komunikatën e saj, OSBE thekson se “e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme është një themel i qeverisjes demokratike dhe një element thelbësor i jetës politike gjithëpërfshirëse.”
“Përjashtimi i aktorëve politikë minon pluralizmin demokratik, dobëson besimin në institucionet dhe redukton mundësitë për të gjitha komunitetet që të përfaqësohen në mënyrë të drejtë”, vijon tutje reagimi i OSBE.
OSBE thekson rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë dhe të sinqertë të të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor, duke theksuar se kjo është “thelbësore për qëndrueshmërinë, integritetin dhe stabilitetin afatgjatë demokratik.”
Misioni i OSBE-së ka bërë të ditur gjithashtu se do të “vazhdojë të monitorojë situatën nga afër, duke përfshirë edhe procedurat ligjore që mund të zhvillohen më pas përmes Panelit për Ankesa dhe Parashtresa Zgjedhore (PAZP) si përgjigje ndaj vendimit për moscertifikimin e Listës Serbe.”