Propozimi i masave të reja për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 ndonëse u tha se do të miratohen gjatë ditës së djeshme, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Telegrafi ka mësuar nga burime brenda partive në koalicion se ende nuk ka pajtim final mes ministrave që vijnë nga partitë politike LDK, AAK e NISMA Socialdemokrate, për vendosjen e këtyre masave.
Për këto masa pritet të diskutohen sot në mbledhjen e Qeverisë, e cila sipas burimeve të Telegrafit pritet të mbahet në formë virtuale(online)
Disa nga ministrat e kabinetit qeveritar janë kundër izolimit, gjë që ka bërë që këto masa të mos hyjnë në fuqi ende.
Kujtojmë se dje ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka mbajtur një takim me kryetarët e komunave ku është diskutuar për vendosjen e masave të reja për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.
Ditëve të fundit në vend ka pasur rritje alarmante të rasteve të reja me COVID-19 e po ashtu edhe numrit të personave që kanë humbur jetën nga ky virus.
Masat janë kundërshtuar nga përfaqësuesit e bizneseve duke thënë se para vendosjes së masave të reja, Qeveria duhet të aprovojë pako ndihmesë për bizneset, gastronominë dhe sektorin privat.