Java e ardhshme pritet të sjellë mot të qëndrueshëm në Kosovë, kryesisht me diell dhe ndonjë vranësirë kalimtare.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se nuk priten ndryshime të mëdha atmosferike.
“Stabiliteti atmosferik do të shoqërohet edhe me erëra të lehta, të cilat do të ndikojnë që moti të jetë më i përballueshëm gjatë periudhave më të nxehta të ditës. Sipas parashikimeve, nuk priten ndryshime të mëdha atmosferike, çka nënkupton se java e ardhshme do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm, tipik veror dhe i përshtatshëm për planifikimin e aktiviteteve të ndryshme”, ka njoftuar IHMK.
Të hënën, moti parashihet të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin mes 9-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet mes 24-27 gradë.
Të martën, pritet mot i ngjashëm, me temperatura maksimale që mund të arrijnë deri në 29 gradë.
Të mërkurën, moti do të jetë me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të lëvizin mes 9-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet mes 26-32 gradë.
Të enjten dhe të premten parashihet kryesisht diell. Të premten, temperatura maksimale mund të arrijë deri në 36 gradë Celsius.