Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka emëruar dje anëtarët e Bordit të Teatrit Kombëtar.
Shkurte Aliu, njëra nga të emëruarat në këtë bord është motra e deputetit të Vetëvendosjes Luan Aliu.
Aliu është aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e vitit 2017 ishte edhe kandidate për deputete nga kjo parti.
Kryeministri Albin Kurti para se të vinte në pushtet kishte deklaruar se në qeverisjen e tij nuk do të bëheshin punësime familjare nëpër ministri.
Sipas Kurtit, familjarët janë vetëm për dasma dhe ndeja private, dhe jo për punësim në ministri.
“Nuk mundemi me i mbush ambasadat sikur nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinj. Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është te shtëpia. Kur të bahet ministër dikush, a zëvendësministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat, s’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë Albin Kurti në njërin nga tubimet e tij elektorale, teksa ishte kandidat për Kryeministër.
Pozitat politike në qeverinë Kurti janë mbushur me emërime të të afërmve të funksionarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Rabit Konjufca, xhaxhai i Glauk Konjufcës, është emëruar si këshilltar politik në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka emëruar për këshilltar të tij politik, Sami Ukën. Ky i fundit është vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Fitim Uka.
Sami Uka është kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Ai edhe gjatë vitit të kaluar kur Vitia ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ishte këshilltar politik i tij.
Dafina Gexha-Bunjaku është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë.
Gexha-Bunjaku, e cila prej vitesh punon në Institutin e Shëndetësisë Publike, është bashkëshortja e Fatban Bunjakut, një funksionari të Lëvizjes Vetëvendosje. Bunjaku ka mbajtur disa funksione brenda LVV-së së Albin Kurtit. Aktualisht shërben si sekretar i një nënkomiteti të partisë.