Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se ka pranuar shqetësime nga disa kolegë gazetarë se nga dita e enjte do të gjobiten njëjtë si qytetarët e tjerë nëse shkelin orarin e lëvizjes së lirë.
Në lidhje me këtë, AGK menjëherë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila ka bërë të ditur se nuk ka ndryshuar asgjë në vendimin për lejimin e lëvizjes për gazetarët dhe punonjësit medial.
Në përgjigjen drejtuar AGK-së, MPB-ja ka bërë të qartë se për lëvizjen e gazetarëve dhe punonjësve medial vlejnë rregullat e deritanishme.
“Ju njoftojmë se asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim, vlejnë rregullat e deritanishme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
AGK u bën thirrje gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe punonjësve të tjerë medial që gjatë gjithë kohës të mbajnë me vete I.D. e tyre të punës, të cilat dëshmojnë angazhimin e tyre profesional.