Ministria e Jashtme e Hungarisë, përmes një telegrami dërguar ambasadorit të Kosovës në Hungari, z. Shpend Kallaba, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e gazetares së RTK-së, Ardita Sylejmani Bllaca.
“Më erdhi shumë keq kur pranova lajmin për vdekjen e gazetares së njohur, znj. Ardita Sylejmani Bllaca, bashkëshortes së z. Shpend Bllaca, më 19 shtator 2019.
Ju lus të pranoni ngushëllimet tona. Me mendje jemi te familja e saj në këtë kohë të vështirë për ta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit, të nënshkruar nga Istvan Balogh.
Ndërkohë, të gjitha mediat hungareze kanë shkruar e raportuar për vdekjen e gazetares së RTK-së, Ardita Sylejmani Bllaca, duke tentuar të zbardhin rrethanat që çuan në vdekjen e saj.
Sipas mjekëve në Hungari, burime në të cilat thirren mediat atje, vdekja ka ardhur si shkak i një komplikimi gjatë lindjes, dhe se pavarësisht përpjekjeve, e ndjera nuk ka arritur të mbijetojë.
Ardita Sylejmani Bllaca ndërroi jetë me 19 shtator në Budapest të Hungarisë, gjatë lindjes së vajzës, Gretës.