Në mbledhjen e sotme të qeverisë Hoti u mor vendimi për hapjen e kufirit Kosovë-Shqipëri.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se së bashku me kabinetin qeveritar po diskutohet edhe rinisja e fluturimeve të rregullta në Aeroportin e Prishtinës.
“Hapja e kufirit Kosovë-Shqipëri është vazhdim i vendosmërisë për të qenë Një, në sukses e në sfida. Bashkë me kabinetin qeveritar po diskutojmë rikthimin e lëvizjes së lirë edhe me vende të tjera dhe rinisjes së fluturimeve të rregullta në Aeroportin e Prishtinës, që t’u mundësojmë diasporës tonë ardhjen pa pengesa në vendlindjen e tyre”, theksoi ajo.
Shefja e diplomacisë kosovare tha se me kujdes të shtuar dhe duke ndjekur rekomandimet e institucioneve shëndetësore, Kosova duhet t’i rikthehet normalitetit dhe të fokusohet në rimëkëmbje ekonomike./Zeri/