Pas situatës së krijuar në veri të vendit, Ministria e Punëve të Jashtme ka ftuar qytetarët e Kosovës që ta shmangin kalimin nëpër Serbi, me qëllim të shmangies së çfardëlloj incidenti.
Sipas njoftimit, MPJD-ja ka pranuar gjatë ditës raportime për arrestime të qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe, përgjatë kalimit të tyre në Serbi.
“Për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin kalimin nëpërmjet Serbisë. MPJD, gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastet nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd. Marrë parasysh zhvillimet e fundit, dhe duke e njohur qasjen jo korrekte të autoriteteve serbe, me qëllim të shmangies të çfarëdo incidenti, MPJD fton qytetarët që të përdorin rrugë alternative për udhëtim”, thuhet në njoftim.