Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit, sidomos grupeve të rrezikut që të vaksinohen kundër gripit sezonal.
Siç bëhet e ditur përmes një komunikate, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinave kundër Gripit sezonal dhe doza të konsiderueshme janë shpërndarë përmes IKSHPK-së në njësitë e vaksinimit të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komunat e Kosovës.
“Deri tash, në institucione shëndetësore janë shpërndarë mbi 140 mijë vaksina, ndërsa në stoqet e MSh/IKSHPK, ka sasi të mjaftueshme për të vaksinuar qytetarët që bien në grupet e rrezikut dhe të interesuarit e tjerë. Vaksinat të cilat po përdoren sivjet, janë katër shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal. Ato janë, gjithashtu, parakualifikuara sipas standardeve të OBSh-së dhe garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre.
Prandaj, me qëllim që mbrojtjes së këtyre grupeve më të rrezikuara, por edhe të tjerëve dhe uljes së ngarkesës së sistemit shëndetësor gjatë pandemisë COVOD-19, MSH-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë mundësinë për t’u vaksinuar.