Ditëve të fundit nëpër rrjetet sociale po qarkullon një “recetë” në kushte shtëpie për të luftuar koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.
Duke e parë përhapjen e saj të madhe në mesin e popullatës, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga qytetarët që të mos bien pre e këtyre “të ashtuquajturave receta”.
“Jemi dëshmitarë që së fundi nëpër rrjetet sociale (jo vetëm në nivel lokal) po shpërndahen me të madhe të ashtuquajturat ‘receta’ të ndryshme për trajtimin e personave të prekur nga COVID-19. Duke qenë që ‘recetat’ e tilla provokojnë edhe reagime të ndryshme dhe ngjallin edhe shqetësime, ju lusim që të mos bini pre e publikimeve të tilla dhe për çfarëdo shqetësimi lidhur me COVID-19 të kontaktoni mjekun tuaj më të afërt dhe të përcillni vetëm këshillat zyrtare, të cilat publikohen nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK-ja, profesionistët kompetentë shëndetësorë dhe institucionet kredibile e të konfirmuara”, thuhet në sqarimin MSH-së.