Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar ndryshim të masave ani-Covid pas përhapjes së variantit të ri Omicron. Edhe pse nuk është bërë e qartë nëse do të ketë shtrëngim apo lirim masash Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe komuniteti i gastronomëve kërkojnë lirimin e masave dhe heqjen e orës policore. Madje janë paralajmëruar edhe protesta në rast të shtrëngimit të masave.
Nga MSH thonë se këtë javë do t’i drejtohen qeverisë sa u përket masave të reja lidhur me situatën epidemiologjike.
Komunat e Kosovës kërkojnë heqjen e orës policore duke apeluar për vaksinim sa më masiv të qytetarëve.
“Kemi kërkuar që kufizimi i lirisë së lëvizjes së lirë të hiqet në tërësi sepse situata është e qetë. Kemi një numër minimal të të infektuarve dhe nuk jemi duke parë një trend të rritjes së numrit të të infektuarve. Nëse ndodh një gjë e tillë mblidhemi përsëri dhe rishkojmë masat”, tha për RTK’, Armend Ibrahimi nga AKK.
Ashpërsimin e masave e kundërshtojnë gastronomët të cilët paralajmërojnë protesta nëse vendoset për një gjë të tillë.
Paralajmërimet për masa të reja vijnë pas paraqitjes së variantit të ri të Covid-19 Omicron në botë i cili përhapet shumë më shpejt dhe s’ka shumë informacione rreth tij.