Muhadin Haziri, banorë i fshatit Zhegër dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të vitit 1999, ka bërë apel publik duke kërkuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan që ta ftojë zyrtarisht në cilësinë e dëshmitarit në procesin penal kundër ish-komandantit serb të policisë në Zhegër – Draganit nga Kmetoci, i arrestuar së fundmi nën dyshimin për krime të rënda lufte.
Statusi i plotë:
APEL
Drejtuar Prokurorisë Themelore në Gjilan
Në cilësinë e dëshmitarit
Lidhur me arrestimin e ish-komandantit të policisë në Zhegër – Draganit nga Kmetoci
Unë, M. Haziri, në cilësinë e dëshmitarit të drejtpërdrejtë dhe si qytetar i fshatit Zhegër, i prekur personalisht dhe familjarisht nga krimet e kryera gjatë luftës së vitit 1999, bëj apel publik dhe drejtohem me kërkesë të drejtpërdrejtë tek Prokuroria Themelore në Gjilan që të më ftojë në cilësinë zyrtare të dëshmitarit në procesin penal ndaj ish-komandantit të policisë në Zhegër, Draganit nga Kmetoci, i cili është arrestuar së fundmi nën dyshimin për krime të rënda.
Ky person, në kohën e luftës, ka mbajtur pozicion udhëheqës në strukturat policore në Zhegër, Llashticë dhe zonën e Karadakut. Gjatë asaj kohe, ndonëse bënte thirrje publike për qetësi dhe “siguri” ndaj qytetarëve shqiptarë, në realitet, nën komandën e tij u zhvilluan veprime kriminale të rënda, përfshirë vrasje me paramendim dhe masakra ndaj popullatës civile.
Si dëshmitar, kam marrë pjesë dhe kam dhënë deklarata edhe në një proces gjyqësor të zhvilluar në Mal të Zi, lidhur me të njëjtat ngjarje dhe me të njëjtin person. Të gjitha dëshmitë e mia kanë qenë të bazuara në fakte reale, të dokumentuara, dhe në dëshmitë e familjarëve të mi të cilët ishin viktima ose dëshmitarë të drejtpërdrejtë të krimeve.
Sot, pas 25 vitesh, kërkoj që zëri i viktimave dhe i dëshmitarëve të mos mbetet në heshtje. Ftoj Prokurorinë që të më ftojë zyrtarisht për të dhënë dëshminë time në këtë rast, ashtu siç ftoj edhe qytetarët e tjerë të Zhegrës që kanë njohuri, kujtime dhe dëshmi, të bashkëpunojnë me drejtësinë për të vënë para përgjegjësisë ata që kanë urdhëruar apo ekzekutuar krime kundër njerëzimit.
E vërteta ekziston dhe duhet të thuhet.
Drejtësia nuk duhet të vonohet.
Krimet nuk duhet të harrohen.
Me respekt,
M. Haziri