Reagim publik
As reshjet e shiut nuk i ndalën ‘investimet’ e ngutshme dy ditë para zgjedhjeve në Zhegër nga Alban Hyseni
Dua të reagoj publikisht ndaj një praktike të papranueshme që po zhvillohet ditëve të fundit në fshatin Zhegër nga Komuna e Gjilanit dhe Kryetari Alban Hyseni.
Dy ditë para zgjedhjeve, Komuna e Gjilanit ka nisur punime për nivelizimin e disa rrugëve në Zhegër, kryesisht në zona ku besohet se ka mbështetje për Lëvizjen Vetëvendosje. Këto rrugë nuk janë trajtuar për katër vite me radhë gjatë mandatit të tanishëm, ndërsa sot, në prag të zgjedhjeve, po përdoren si mjet për fushatë dhe ndikim politik tek qytetarët.
Për më tepër, punimet po kryhen pa ndonjë plan dinamik apo projekt të qartë, ndërsa sasia e zhavorrit të përdorur është dukshëm e papërputhshme me standardet — thuajse 60% e materialit përbëhet nga dhe e jo zall cilësor.
E dhimbshme është se, ndërkohë që Komuna arsyetohet se nuk mund të ofrojë shërbime për shkak të “mosmiratimit të buxhetit”, në realitet po shpenzon fonde publike pa planifikim dhe pa transparencë. Po ashtu, ende rreth 300 punëtorë të Ndërmarrjes “Tregu” nuk i kanë marrë pagat e tyre.
Kjo qeverisje në ikje, e cila dikur erdhi në pushtet me kritika ndaj keqpërdorimeve të tilla, sot po përdor të njëjtat metoda mashtruese, duke tentuar të blejë vota me veprime simbolike e të përkohshme.
Ftoj banorët e Zhegërës që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve, sepse ky “aktivitet” është i përkohshëm dhe do të përfundojë më 09.11.2025 – menjëherë pas zgjedhjeve gjithçka do të ndalet.
Ky veprim përbën dyshim të bazuar për keqpërdorim të parasë publike dhe tejkalim të autorizimeve ligjore, pasi është bërë pa konsultim dhe pa miratim të Këshillit të Fshatit Zhegër, që sipas ligjit është organ kompetent për njoftim dhe koordinim të punimeve në fshat.
Kërkoj nga Prokuroria e Shtetit që të hetojë këtë rast dhe të marrë masa ligjore ndaj përgjegjësve për këtë keqpërdorim.
Me respekt,
Muhadin Haziri
Këshilltar Komunal
Zhegër, 07.11.2025













