Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Muhadin Haziri, ka ngritur shqetësimin për mungesën e druve për ngrohje në disa shkolla të Komunës së Gjilanit, në një kohë kur temperaturat po bien dhe jemi në mesin e muajit nëntor.
Haziri ka bërë të ditur se disa shkolla po përballen me mungesë të ngrohjes, ndërsa procedurat për furnizimin me dru për nevojat e institucioneve shkollore ende janë në proces.
Në reagimin e tij, ai ka ngritur pikëpyetje se si është krijuar kjo situatë dhe pse furnizimi nuk është siguruar me kohë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe sqarim publik.
Ai ka theksuar se në rastet kur temperaturat në klasa janë të ulëta dhe rrezikojnë shëndetin e nxënësve, duhet të ndërmerren masa të menjëhershme. Sipas tij, reduktimi i orarit mësimor mund të jetë vetëm një masë e përkohshme, por jo zgjidhje afatgjatë për mungesën e furnizimit me ngrohje.
Reagimi i plotë i Muhadin Hazirit:
“Mesi i nëntorit, shkollat në Komunën e Gjilanit kanë nevojë urgjente për furnizim me dru për ngrohje!
Disa nga shkollat e Komunës së Gjilanit aktualisht janë pa ngrohje.
Pse është krijuar kjo situatë?
Procedura për furnizimin me dru për nevojat e shkollave në Komunën e Gjilanit ende është në proces, në prag të mesit të nëntorit.
Kjo është çështje serioze që kërkon përgjegjësi institucionale dhe sqarim publik.
Duhet të ndërmerren masa të menjëhershme. Reduktimi i orarit mësimor mund të jetë një masë e përkohshme, por nuk duhet të shndërrohet në zgjidhje afatgjatë për dështimin e furnizimit.”
Muhadin Haziri, LDK.










