Muhadin Haziri nga Zhegra ka reaguar publikisht pas debatit të ditëve të fundit rreth një objekti të vjetër në fshat, duke e quajtur të pavërtetë narrativën se ai ka qenë stacion i policisë serbe.
Në reagimin e tij, Haziri sqaron se objekti në fjalë, gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, ka shërbyer për strehim të personave me uniformë zyrtare, të cilët ishin shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër e tij ka funksionuar si veterinari në shërbim të Zhegrës dhe rajonit të Karadakut.
“Mos e shfrytëzoni çdo objekt të vjetër për të ndërtuar narrativë të rreme patriotike, sepse e vërteta është ndryshe dhe populli i Zhegrës nuk e harron historinë”, ka theksuar ai.
Sipas Hazirit, rrënimi i atij objekti është bërë me kërkesën e vetë Këshillit të Fshatit Zhegër, të udhëhequr nga z. Qahil Halili, me qëllim të krijimit të një hapësire gjelbëruese për komunitetin.
Ai shtoi se Zhegra dhe i gjithë Karadaku, që nga vitet ’90, kanë qenë në ballë të rezistencës ndaj regjimit serb, duke sakrifikuar për liri dhe për Republikën e Kosovës.
“Nuk ka vend për manipulime politike në këtë kohë fushate, e aq më pak në emër të një patriotizmi të vonuar e të inskenuar. Zhegra, Karadaku dhe mbarë Kosova kanë qenë dhe mbesin gardianë të sakrificës dhe të Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi i tij.